settings icon
share icon
Pyetje

A ka jetë pas vdekjes?

Përgjigjia


A ka jetë pas vdekjes? Bibla na thotë:"Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime. Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë…Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” (Jobi 14:1-2, 14)

Ashtu si Jobi, pothuajse të gjithë ne jemi sfiduar nga kjo pyetje. Çfarë ndodh saktësisht pasi kemi vdekur? A reshtim thjesht së ekzistuari? A është jeta një derë rrotulluese që mundëson largimin dhe kthimin në tokë për arritje personale? A shkojnë të gjithë në të njëjtin vend, apo në vende të ndryshme? A ekziston me të vertetë qielli dhe ferri apo është thjesht një perceptim i mendjes?

Bibla na tregon që jo vetëm ka jetë pas vdekjes, por jetë të përjetshme kaq të lavdishme sa që “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë'' (1Korintasve 2:9). Jezus Krishti, Zoti në mish, erdhi në tokë për të na dhënë dhuratën e jetës së përjetshme. “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:5).

Jezusi mori dënimin që secili prej nesh e meritonte dhe sakrifikoi jetën e vet. Tri ditë më vonë, Ai e tregoi Veten fitimtar mbi vdekjen duke u ngritur nga varri, në Frymë dhe në mish. Ai qëndroi në tokë për dyzet ditë dhe u pa nga mijëra deshmitarë, përpara se të ngrihej për në banesën e Tij të përjetshme në qiell. Tek Romakëve 4:25 thuhet: “i cili(Jezusi) u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë”.

Ringjallja e Krishtit ishte një ngjarje e dokumentuar më së miri. Apostulli Pal ka sfiduar njerëzit që të pyesnin dëshmitarë okularë për vërtetësinë e kësaj ngjarjeje dhe askush nuk ka mundur të kundërshtojë vërtetësinë e saj. Ringjallja është guri i themelit për Krishtërimin; për shkak të ringjalljes së Krishtit, ne gjithashtu mund të kemi besim se do të ringjallemi.

Pali u ka tërhequr vëmendjen disa të Krishterëve të hershëm të cilët nuk e besonin këtë gjë: “Por, në qoftë se predikohet se Krishti u ringjall prej së vdekurish, si atëherë disa nga ju thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve? Në qoftë se nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk u ringjall” (1Korintasve 15:12-13)

Krishti ishte vetëm i pari nga të korrat e shumta të atyre që do të ringjallen. Vdekja fizike erdhi nga një njeri i vetëm, Adami, nga i cili e kemi prejardhjen të gjithë. Por të gjithë ata që Zoti i ka adoptuar në familjen e vet, nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin, do të kenë një jetë të re.(1Korintasve 15:20-22) Ashtu si Zoti e ringjalli trupin e Krishtit, ashtu edhe trupat tanë do të ringjallen kur Jezusi të rikthehet (1Korintasve 6:14).

Edhe pse të gjithë do të ringjallemi, kjo nuk do të thotë se të gjithë sëbashku do të shkojmë në qiell. Secili duhet të bëjë një zgjedhje në këtë jetë për të vendosur se ku do ta kalojë përjetësinë. Bibla thotë se është caktuar që ne të gjithë të vdesim vetëm një herë dhe pas kësaj vjen gjykimi (Hebrenjve 9:27). Ata që janë bërë të drejtë do ta kalojnë përjetësinë në qiell, por ata që nuk kanë besuar do ta kalojnë përjetësinë në ndëshkim të përjetshëm, ose ferr (Mateu 25:46).

Ferri, ashtu si qielli, nuk është thjesht një gjendje ekzistenciale, por një vend shumë i vërtetë. Është një vend ku të padrejtët do të përjetojnë zemërimin e pafund dhe të përjetshëm të Perëndisë. Ata do të durojnë torturat emcionale, mendore dhe fizike duke vuajtur në mënyrë të ndërgjegjshme nga turpi, keqardhja dhe shpërfillja.

Ferri është përshkruar si një humrerë pa fund (Luka 8:31, Zbulesa 9:1) dhe liqen i zjarrit dhe squfurit, në të cilin banorët e tij do të torturohen ditë e natë, në jetë të jetëve (Zbulesa 20:10). Në ferr do të ketë lotë dhe kërcëllim dhëmbësh, që tregojnë pikëllim të thellë dhe inat. (Mateu 13:42). Eshtë një vend ku “krimbi nuk vdes dhe zjarri nuk fiket kurrë” (Marku 9:48). Zoti nuk gjen asnjë kënqësi në vdekjen e të pabesëve, por dëshiron që ata të kthehen nga rrugët e tyre të liga në mënyrë që të jetojnë (Ezekieli 33:11). Por Ai nuk mund të na detyrojë të bindemi; nëse ne zgjedhin ta refuzojmë Atë, Ai nuk ka zgjidhje tjetër veçse të na japë atë që duam – një jetë të ndarë prej Tij.

Jeta në tokë është një provë – një parapërgatitje e asaj që do të vijë. Për besimtarët vjen menjëherë jeta e përjetshme në prezencën e Zotit. Por, si mund bëhemi të drejtë dhe të denjë për të marrë jetën e përjetshme? Ka vetëm një rrugë – nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin, Birin e Zotit. Jezusi tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë...'' (Gjoni 11:25-26).

Dhuratën e jetës së përjetshme mund ta kemi të gjithë, por na kërkohet që t’i mohojmë vetes disa kënaqësi të botës dhe të sakrifikojmë veten për Zotin. “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të'' (Gjoni 3:36). Nuk do të na jepet mundësia të pendohemi për mëkatet tona pas vdekjes sepse sapo ta shohim Perëndinë balle për ballë nuk do të kemi zgjedhje tjetër veçse t’i besojmë Atij. Ai pret që të vijmë tani para Tij, me besim dhe dashuri. Nëse e pranojme vdekjen e Jezus Krishtit si pagesën për mëkatin e rebelimit ndaj Zotit, ne jo vetëm që kemi garancinë për një jetë kuptimplotë në tokë, por edhe një jetë pa kufi në praninë e Krishtit.

Nëse doni të pranoni Jezus Krishtin si Shpëtimtarin tuaj dhe të rilindni, kjo është një lutje e thjeshtë. Mos harroni, kjo apo ajo lloj lutje nuk ju shpëton. Vetëm besimi juaj tek Krishti mund t’ju shpëtojë nga mëkati. Kjo lutje është thjesht një mënyrë për t’i shprehur Zotit besimin që keni tek Ai dhe për ta falenderuar Atë që siguroi për shpëtimin tuaj. “ Zot, e di që kam mëkatuar kundër teje dhe e meritoj të ndëshkohem. Por Jezus Krishti mori ndëshkimin që unë meritoja, që nëpërmjet besimit tek Ai unë të mund të isha i/e falur. Unë largohem nga mëkati im dhe të besoj Ty për shpëtimin tim. Faleminderit për mëshirën tënde të mrekullueshme dhe për faljen – dhuratën e jetës së përjetshme! Amen!”

A keni marrë një vendim në lidhje me Krishtin prej asaj që lexuat këtu? Nëse po, ju lutem klikoni poshtë tek butoni “Kam pranuar Krishtin sot.”

English



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip

A ka jetë pas vdekjes?
© Copyright Got Questions Ministries