settings icon
share icon
Pyetje

A vazhdon Perëndia të na flasë sot?


Bibla e paraqet Perëndinë duke u folur në mënyrë të dëgjueshme njerëzve shumë herë (Eksodi 3:14; Jozueu 1:1; Gjyqtarët 6:18; 1 Samuelit 3:11; 2 Samuelit 2:1; Jobi 40:1; Isaia 7:3; Jeremia 1:7; Veprat 8:26; 9:15 – këto janë vetëm një shembull i vogël). Nuk ka asnjë arsye biblike përse Perëndia nuk mundet apo nuk do t'i fliste në mënyrë të dëgjueshme dikujt sot. Për qindrat e rasteve që kemi në Bibël kur Perëndia ka folur, ne duhet të kujtojmë se këto kanë ndodhur gjatë rrjedhës së 4000 viteve të historisë njerëzore. Perëndia që flet në mënyrë të dëgjueshme është përjashtimi, jo rregulli. Madje edhe në rastet biblike kur Perëndia ka folur, nuk është gjithnjë e qartë nëse ishte një zë i dëgjueshëm, një zë i brendshëm apo një përshtypje mendore.

Perëndia u flet vërtet njerëzve sot. Së pari, Perëndia na flet përmes Fjalës së Tij (2 Timoteut 3:16-17). Isaia 55:11 na thotë: “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova”. Bibla regjistron fjalët e Perëndisë, gjithçka që kemi nevojë të dimë për të qenë të shpëtuar dhe për të jetuar jetën e krishterë. E dyta e Pjetrit 1:3 shpall: “Fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet”.

Së dyti, Perëndia flet përmes përshtypjeve, ngjarjeve dhe mendimeve. Perëndia na ndihmon të dallojmë të drejtën nga e gabuara përmes ndërgjegjes sonë (1 Timoteut 1:5; 1 Pjetrit 3:16). Perëndia është në procesin e përshtatjes së mendjeve tona për të pasur mendimet e Tij (Romakëve 12:2). Perëndia lejon ngjarje të ndodhin në jetët tona për të na drejtuar, për të na ndryshuar dhe për të na ndihmuar të rritemi frymërisht (Jakobit 1:2-5; Hebrenjve 12:5-11). E para e Pjetrit 1:6-7 na kujton: “Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme, që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit”.

Së fundi, Perëndia mund t'u flasë ndonjëherë në mënyrë të dëgjueshme njerëzve. Megjithëkëtë, është tepër e dyshimtë që kjo të ndodhë aq shpesh sa pohojnë disa njerëz se ndodh. E përsërisim, madje dhe në Bibël, rastet kur Perëndia flet në mënyrë të dëgjueshme janë përjashtimi, jo rregulli i zakonshëm. Nëse dikush pohon se Perëndia i ka folur atij/asaj, krahaso gjithmonë atë që thuhet me atë që thotë Bibla. Nëse Perëndia do të fliste sot, fjalët e Tij do të jenë në pajtim të plotë me atë që Ai ka thënë në Bibël (2 Timoteut 3:16-17). Perëndia nuk e kundërshton Veten.

English



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip

A vazhdon Perëndia të na flasë sot?
© Copyright Got Questions Ministries