settings icon
share icon
Pyetje

Kush është Jezus Krishti?

Përgjigjia


Kush është Jezus Krishti? Ndryshe nga pyetja, “A ekziston Zoti?”, shumë pak njerëz kanë pyetur nëse Jezus Krishti ka ekzistuar me të vërtetë apo jo. Në përgjithësi pranohet fakti që Jezusi ka qenë me të vërtetë një njeri që ka ecur në këtë tokë 2000 vjet më parë në Izrael. Debati fillon kur diskutohet hyjnia e plotë e Jezusit. Gati çdo fe madhore meson se Jezusi ishte një profet, ose një mësues i mirë, ose një njeri i perëndishëm. Problemi qëndron në faktin se Bibla na mëson që Jezusi ka qënë pa dyshim më tepër se sa një profet, një mësues i mirë apo një njeri i perëndishëm.

C.S. Luis në librin e tij “Mere Christianity” (Krishtërimi i pastër) shkruan: “ Po mundohem të parandaloj këdo që kërkon të thotë gjënë më të pamend që njerëzit zakonisht thonë për Të [Jezus Krishthin]: - “Jam gati ta pranoj Jezusin si një mësues të madh të moralit, por nuk e pranoj që Ai është Zot”. Kjo është një gjë që ne nuk duhet ta themi. Një njeri i thjeshtë që ka thënë ato gjëra që ka thënë Jezusi, nuk mund të ishte një mësues i madh i moralit. Ai ose ka qenë një i çmendur – në nivelin e një njeriu që thotë se është një vezë e zierë – ose ka qenë vetë Djalli. Ju duhet të bëni zgjedhjen tuaj. Ky njeri ose ka qenë dhe është Biri i Perëndisë, ose është thjesht një i çmendur, ose diçka më keq.... Ju mund ta izoloni Atë si një të çmendur, ose mund ta pështyni dhe ta vrisni si të jetë një demon; ose ju mund të bini para këmbëve të Tij dhe quani Zot dhe Perëndi. Por le të mos nxjerrim përfundime të tilla të pakuptimta se ai ishte një mësues i madh human. Ai nuk na ka lënë asnjë zgjedhje të hapur, as që e kishte ndërmend.”

Po kush tha Jezusi se ishte? Kush thotë Bibla se ishte? Së pari le të shohim fjalët e Jezusit tek Gjoni 10:30, “Unë dhe Ati jemi një”. Në pamje të parë, kjo nuk duket si një shpallje se Ai ishte Zot. Megjithatë, shikoni reagimin e Judenjve kundrejt kësaj thënie: “Judenjtë u përgjigjën duke thënë: ``Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi''. (Gjoni 10:33). Judenjtë e kuptuan thënien e Jezusit si një shpallje që Ai ishte Zot. Në vargjet në vazhdim Jezusi nuk i korrigjoi asnjëherë Judenjtë duke thënë: “Unë nuk thashë që jam Zot”. Kjo do të thotë se Jezusi me të vërtetë po thoshte se ishte Zot duke deklaruar: “Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:30). Gjoni 8:58 është një shembull tjetër. Jezusi deklaroi: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam''. Dhe përsëri, si kundërpërgjigje, Judenjtë morën gurë për ta qëlluar Jezusin (Gjoni 8:59). Jezusi duke shpallur hyjninë e Tij me fjalët “unë jam” është duke cituar një nga emrat e Zotit në Testamentin e Vjetër (Eksodi 3:14). Pse Judenjtë donin ta qëllonin Jezusin me gurë, nëse Ai nuk kishte thënë diçka që ata besonin se ishte blasfemi, dmth, një pretendim për të qenë Zot?

Tek Gjoni 1:1 thuhet se: “Fjala ishte Perëndi”. Tek Gjoni 1:14 thuhet se: “Fjala u bë mish.” Kjo tregon qartë se Jezusi është Zoti në mish. Një nga dishepujt e Tij, Thomai iu drejtua Jezusit: “Zoti im dhe Perëndia im” (Gjoni 20:28). Jezusi nuk e korrigjon atë. Apostulli Pal e përshkruan Atë si: “...i madhi Perëndi dhe të Shpëtimtari jonë Jezu Krisht” (Titit 2:13). Apostulli Pjetër thotë të njëjtën gjë: “...Perëndia dhe Shpëtimtari ynë Jezus Krisht” (2 Pjetrit 1:1). Perëndia At është gjithashtu dëshmitari i identitetit të plotë të Jezusit. Por në lidhje me Birin Ai thotë: “Froni Yt o Zot, do të zgjasë përherë dhe drejtësia do të jetë skeptri i mbretërisë tëne”. Profecitë e Testamentit të Vjetër deklarojnë hyjninë e Tij, “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”.

Ashtu siç ka argumentuar edhe C.S Luis, të besosh se Jezusi ishte një mësues i mirë nuk është një zgjedhje. Jezusi në mënyrë të qartë dhe të pamohushme shpalli se ishte Zot. Nëse Ai nuk është Zot, atëhere Ai është gënjeshtar që do të thotë se Ai nuk është as profet, as një mësues i mirë dhe as një njeri i perëndishëm. Në përpjekje për të shpjeguar fjalët e Jezusit, “studiues” modernë shpallin se “Jezusi i vërtetë historik”, nuk i ka thënë shumicën e atributeve që shkruan Bibla për Të. Kush jemi ne që të vemë në diskutim Fjalën e Zotit në lidhje me çfarë ka thënë ose nuk ka thënë Jezusi? Si mundet një “studiues” dymijë vjet pas kohës së Jezusit të ketë të dhëna më të sakta rreth asaj që ka thënë ose nuk ka thënë Ai, se sa vetë ata që kanë jetuar me Jezusin, i kanë shërbyer dhe kanë marrë mësime nga Ai (Gjoni 14:26)?

Pse është kaq e rëndësishme çështja mbi identitetin e vërtetë të Jezusit? Pse ka kaq shumë rëndësi nëse Jezusi është apo jo Zot? Arsyeja më e rëndësishme pse Jezusi duhet të jetë me patjetër Zot është se nëse Ai nuk do të ishte Zot, vdekja e Tij nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për të shlyer dënimin e mëkatit për të gjithë botën (1 Gjonit 2:2). Vetëm Zoti do të mund të paguante një dënim kaq të pamasë (Romakëve 5:8; 2Korintasve 5:21). Jezusi duhet të ishte Zot që të mund të paguante borxhin tonë. Jezusi duhej të ishte njëri që të mund të vdiste. Shpëtimi është i mundshëm vetëm nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin! Hyjnia e Jezusit është arsyeja pse Ai është rruga e vetme e shpëtimit. Hyjnia e Jezusit është arsyeja pse Ai shpalli: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6).

English



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip

Kush është Jezus Krishti?
© Copyright Got Questions Ministries