settings icon
share icon
Pyetje

Çfarë do të thotë se Bibla është e frymëzuar?

Përgjigjia


Kur njerëzit flasin për Biblën si e frymëzuar, ata i referohen faktit se Perëndia në mënyrë hyjnore ndikoi autorët e Shkrimeve në një mënyrë të tillë që ajo që ata shkruan ishte vërtet Fjala e Perëndisë. Në kontekstin e Shkrimeve fjala “frymëzim” thjesht do të thotë “Perëndia fryu”. Frymëzim do të thotë Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë dhe e bën Biblën unike në mesin e të gjithë librave të tjerë.

Ndërsa ka pikëpamje të ndryshme për masën në të cilën Bibla është frymëzuar, nuk mund të ketë dyshim se vetë Bibla pohon se çdo fjalë në çdo pjesë të Biblës vjen nga Perëndia (1 Korintasve 2:12-13; 2 Timoteu 3:16-17). Kjo pikëpamje që vjen nga Shkrimet është përmendur shpesh si frymëzim “i plotë fjalë për fjalë”. Kjo do të thotë se frymëzimi shprehet në cdo fjalë( fjalë për fjalë) – jo vetëm në koncepte apo ide – dhe se frymëzimi shtrihet në të gjithë pjesën e Shkrimit dhe të gjithë thelbin e subjektit të tij. Disa njerëz besojnë se vetëm pjesë të Biblës janë të frymëzuara ose vetëm mendimet ose konceptet që kanë të bëjnë më fenë janë të frymëzuara, por këto pikëpamje të frymëzimit nuk u pranuan nga pohimet që Bibla jep në lidhje me veten. Frymëzimi i plotë i Biblës fjalë për fjalë është një karakteristikë thelbësore e fjalës së Perëndisë.

Masa e frymëzimit mund të shihet qartësisht në 2 Timoteu 3:16, “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë”. Ky varg na tregon që Perëndia e frymëzoi të gjithë Shkrimin dhe ai është i vlefshëm për ne. Nuk janë të frymëzuara vetëm pjesët e Biblës që lidhen me doktrinat fetare, por çdo fjalë nga Zanafilla në Zbulesa. Për shkak se Shkrimet janë të frymëzuara nga Perëndia, ato janë me autoritet kur bëhet fjalë për krijimin e doktrinës dhe të mjaftueshme për të mësuar njeriun si të jetë në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë. Bibla pohon jo vetëm të jetë e frymëzuar nga Perëndia, por gjithashtu të ketë aftësi të mbinatyrshme të na ndryshojë ne dhe të na bëjë “të plotë”. Çfarë kemi më tepër nevojë?

Një varg tjetër që lidhet me frymëzimin e Shkrimeve është 2 Pjetri 1:21. Ky varg na ndihmon të kuptojmë se edhe pse Perëndia përdori njerëz me personalitetin e tyre dhe stilin e veçantë të shkrimit, Perëndia në mënyrë hyjnore frymëzoi çdo fjalë që ata shkruan. Jezusi vetë konfirmoi frymëzimin e plotë fjalë për fjalë të Shkrimeve kur Ai tha: “Mos mendoni se erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; nuk erdha për t’i shfuqizuar, por për t’i përmbushur. Sepse me të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka të kalojnë, asnjë jotë dhe asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojë, para se të bëhet gjithçka…” (Mateu 5:17-18). Në këto vargje Jezusi është duke përforcuar saktësinë e Shkrimeve deri në detajin më të vogël dhe shenjën më të vogël të pikësimit, sepse Ajo është Fjala e Perëndisë.

Për shkak se Shkrimet janë Fjala e frymëzuar nga Perëndia, ne mund të dalim në përfundimin se ato gjithashtu janë të pagabueshme dhe me autoritet (të besueshme). Një pamje e saktë e Perëndisë do të na drejtojë në një pamje të qartë të Fjalës së Tij. Për arsye se Perëndia është i plotfuqishëm, i gjithëdijshëm dhe plotësisht perfekt, Fjala e Tij, nga vetë natyra e Tij do të ketë të njëjtat karakteristika. Të njëjtat vargje që vërtetojnë frymëzimin e Shkrimeve gjithashtu vërtetojnë se ato janë edhe të pagabueshme edhe me autoritet (të besueshme). Pa asnjë dyshim Bibla është çfarë ajo pohon të jetë-e pamohueshme, me autoritet, Fjala e Perëndisë për njerëzimin.

English



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip

Çfarë do të thotë se Bibla është e frymëzuar?
© Copyright Got Questions Ministries