A e krijoi Perëndia të keqen?




Pyetje: A e krijoi Perëndia të keqen?

Përgjigje:
Në fillim mund të duket se nëse Perëndia i krijoi të gjitha gjërat, atëherë e keqja duhet të jetë krijuar nga Perëndia. Por, e keqja nuk është një “gjë” si një gur apo si elektriciteti. Ti s'mund të kesh një qyp të mbushur me të keqen. E keqja nuk ka ekzistencë të sajën; në fakt ajo është mungesa e së mirës. Për shembull, gropat janë reale por ato ekzistojnë vetëm në diçka tjetër. Ne e quajmë mungesën e dheut një gropë, por ajo s'mund të veçohet nga dheu. Prandaj kur Perëndia krijoi, është e vërtetë që gjithçka që Ai krijoi ishte e mirë. Një nga gjërat e mira që bëri Perëndia ishin krijesa të cilët kishin lirinë për të zgjedhur të mirën. Me qëllim për të qenë një zgjedhje reale, Perëndia duhet të lejonte të kishte një zgjedhje tjetër përveç së mirës. Prandaj Perëndia i lejoi këta engjëj dhe njerëz të lirë për të zgjedhur të mirën ose refuzuar të mirën (e keqja). Kur midis dy gjërave të mira ekziston një marrëdhënie e keqe ne e quajmë këtë të keqe, por ajo nuk bëhet një “gjë” për të cilën i është dashur Perëndisë ta krijojë.

Ndoshta një ilustrim tjetër do na ndihmojë. Nëse e pyet dikë: “A ekziston e ftohta?”, përgjigja ka mundësi të jetë “po”. Mirëpo kjo është e pasaktë. E ftohta nuk ekziston. E ftohta është mungesa e të ngrohtës. Në mënyrë të ngjashme errësira nuk ekziston; ajo është mungesa e dritës. E keqja është mungesa e së mirës ose më mirë, e keqja është mungesa e Perëndisë. Perëndia nuk kishte pse ta krijonte të keqen, por vetëm të lejonte për mungesën e së mirës.

Perëndia nuk e krijoi të keqen, por Ai e lejon të keqen. Nëse Perëndia nuk do të kishte lejuar mundësinë e së keqes, si njerëzimi ashtu edhe engjëjt do të ishin duke i shërbyer Perëndisë nga detyrimi, jo nga zgjedhja. Ai nuk dëshironte “robotë” që thjesht do të bënin atë që Ai donte të bënin për shkak të “programimit” të tyre. Perëndia lejoi mundësinë e së keqes, që ne të kishim një vullnet të lirë të vërtetë dhe të zgjedhim nëse do t'i shërbejmë Atij apo jo.

Si qenie njerëzore të kufizuara, ne nuk mund ta kuptojmë kurrë plotësisht Perëndinë e pakufishëm (Romakëve 11:33-34). Ndonjëherë ne mendojmë se e kuptojmë përse Perëndia po bën diçka, vetëm për të zbuluar më vonë se ishte për një qëllim tjetër nga ai që kishim menduar fillimisht. Perëndia i shikon gjërat nga një këndvështrim i shenjtë, i përjetshëm. Ne i shohim gjërat nga një këndvështrimi i mëkatshëm, tokësor dhe i përkohshëm. Përse e vendosi Perëndia njeriun në tokë duke ditur që Adami dhe Eva do të mëkatonin dhe kështu do të sillnin të keqen, vdekjen dhe vuajtjet mbi tërë njerëzimin? Përse nuk na krijoi dhe nuk na la në qiell ku do të ishim të përsosur dhe pa vuajtje? Këto pyetje nuk do të marrin përgjigje mjaftueshëm në këtë anë të përjetësisë. Çfarë ne mund të dimë është se çfarëdo që bën Perëndia është e shenjtë dhe e përsosur dhe përfundimisht do t'i japë Atij lavdi. Perëndia e lejoi mundësinë e së keqes për të na dhënë një zgjedhje të vërtetë lidhur me atë nëse e adhurojmë apo jo. Perëndia nuk e krijoi të keqen, por e lejoi atë. Nëse Ai nuk do ta kishte lejuar të keqen, ne do të ishim duke e adhuruar Atë nga detyrimi, jo nga një zgjedhje e vullnetit tonë.



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip



A e krijoi Perëndia të keqen?