settings icon
share icon
Pyetje

A ka ekzistuar vërtet Jezusi? A ka dëshmi historike për Jezu Krishtin?

Përgjigjia


Zakonisht, kur ngrihet kjo pyetje, ai që bën pyetjen e kualifikon pyetjen me “jashtë Biblës”. Ne nuk e pranojmë këtë ide që Bibla nuk mund të konsiderohet një burim provash për ekzistencën e Jezusit. Dhiata e Re përmban qindra referime për Jezu Krishtin. Ka nga ata që e datojnë shkrimin e Ungjijve në shekullin e dytë m.K., më tepër se 100 vjet mbas vdekjes së Jezusit. Edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë (të cilën ne e kundërshtojmë fuqishëm), sipas kërkesave të dëshmisë së lashtë, shkrimet e datuara më pak se 200 vjet pasi ka ndodhur ngjarja konsiderohen dëshmi shumë të besueshme. Veç kësaj, shumica e madhe e studiuesve (të krishterë dhe jo të krishterë) do të pohojnë se Letrat e Palit (të paktën disa prej tyre) ishin shkruar në fakt nga Pali në mesin e shekullit të parë m.K., më pak se 40 vjet mbas vdekjes së Jezusit. Sipas kërkesave të dëshmisë së dorëshkrimeve të lashta, kjo është provë jashtëzakonisht e fortë për ekzistencën e një burri të quajtur Jezus në Nazaret herët në shekullin e parë m.K.

Është gjithashtu e rëndësishme të pranojmë se në vitin 70 m.K., romakët pushtuan dhe shkatërruan Jerusalemin dhe pjesën më të madhe të Izraelit, duke i vrarë banorët atje. Qytete të tëra u bën vërtet shkrumb e hi. Kështu që nuk duhet të habitemi nëse një pjesë e madhe e dëshmive për ekzistencën e Jezusit të jetë shkatërruar. Shumë prej dëshmitarëve okularë të Jezusit do të jenë vrarë. Ka mundësi që fakte si këto e kanë kufizuar sasinë e dëshmive të mbijetuara okulare për Jezusin.

Duke konsideruar që shërbesa e Jezusit ishte kryesisht e kufizuar në një zonë relativisht të parëndësishme në një skutë të vogël të Perandorisë Romake, një sasi e çuditshme të dhënash rreth Jezusit mund të nxirren nga burime të historisë shekullare. Disa prej dëshmive historike më të rëndësishme për Jezusin përfshijnë këto që vijojnë:

Romaku i shekullit të parë Takitusi, i cili është konsideruar si një prej historianëve më të saktë të botës së lashtë, ka përmendur “të krishterët” besëtytnor (nga Christus, që është latinisht për Krishti), të cilët vuajtën nën qeverisjen e Ponc Pilatit gjatë mbretërimit të Tiberit. Suetoniusi, sekretar i parë i Perandorit Adrian, shkroi se ishte një njeri i quajtur Krestus (ose Krisht), i cili jetoi gjatë shekullit të parë (Kronika 15.44).

Flavius Jozefusi është historiani më i famshëm jude. Në librin e tij Gjëra antike ai i referohet Jakobit, “vëllai i Jezusit, i cili ishte thirrur Krisht”. Kemi edhe një rresht polemik (18:3), që thotë: “Tani ishte në këtë kohë Jezusi, një njeri i urtë, nëse është e ligjshme ta quajmë atë një njeri. Pasi ai ishte dikush që solli akte heroike të habitshme.... Ai ishte Krisht[i]...ai iu shfaq atyre i gjallë sërish të tretën ditë, siç kishin shkruar profetët hyjnorë këto dhe dhjetë mijë gjëra të tjera të mrekullueshme lidhur me të”. Njëri version shkruan: “Në këtë kohë ishte një njeri i urtë i quajtur Jezus. Sjellja e tij ishte e mirë dhe [ai] ishte i njohur si i virtytshëm. Dhe shumë njerëz nga judenjtë dhe kombet e tjera u bënë dishepuj të tij. Pilati e dënoi atë për t'u kryqëzuar dhe vdekur. Por ata që u bënë dishepuj të tij nuk e braktisën dishepullimin e tij. Ata raportuan që ai u ishte shfaqur atyre tri ditë mbas kryqëzimit të tij dhe që ai ishte gjallë; prandaj ai ishte ndoshta Mesia, për të cilin profetët kanë rrëfyer mrekulli”.

Julius Afrikani citon historianin Thallus në një diskutim për errësirën që pasoi kryqëzimin e Krishtit (Shkrime Ekzistuese, 18).

Plini i Riu, në Letra 10:96, ka regjistruar praktika adhurimi të lashta të krishtera, ku përfshihet fakti që të krishterët adhuronin Jezusin si Perëndi dhe që kishin mjaft etikë dhe ai përfshin një referim për festën e dashurisë dhe Darkën e Zotit.

Talmudi Babilonas (Sinedri 43a) konfirmon kryqëzimin e Jezusit në prag të Pashkës dhe akuzat kundër Krishtit për praktikën e magjisë dhe nxitjen e apostazisë judaike.

Luçiani i Samosatas ishte një autor grek i shekullit të dytë i cili pranon që Jezusi ishte adhuruar nga të krishterët, që solli mësime të reja dhe ishte kryqëzuar për ta. Ai tha se mësimet e Jezusit përfshinë vëllazërinë e besimtarëve, rëndësinë e konvertimit dhe rëndësinë e mohimit të perëndive të tjera. Të krishterët jetuan sipas ligjeve të Jezusit, besuan se ishin të pavdekshëm dhe ishin karakterizuar nga mospërfillja për vdekjen, vetëmohimi i vullnetshëm dhe heqja dorë nga të mirat materiale.

Mara Bar-Serapioni konfirmon që Jezusi ishte menduar si një njeri i urtë dhe i virtytshëm, ishte konsideruar nga shumë veta se ishte mbreti i Izraelit, ishte çuar drejt vdekjes nga judenjtë dhe vazhdoi të jetojë në mësimet e ndjekësve të Tij.

Më pas kemi tërë shkrimet gnostike (Ungjilli i së vërtetës, Apokrifoni i Gjonit, Ungjilli i Tomait, Traktati mbi Ringjalljen etj.) që të gjithë përmendin Jezusin.

Në fakt, ne pothuaj mund të rindërtojmë ungjillin vetëm nga burimet e hershme jo të krishtera: Jezusi ishte quajtur Krisht (Jozefusi), bëri “magji”, e drejtoi Izraelin në mësime të reja dhe ishte varur gjatë Pashkës për ta (Talmudi Babilonas) në Jude (Takitusi), por që pohoi se ishte Perëndi dhe do të kthehej (Eliezari), që ndjekësit e tij e besuan, duke e adhuruar Atë si Perëndi (Plini i Riu).

Kemi dëshmi të fuqishme për ekzistencën e Jezu Krishtit, në historinë shekullare ashtu edhe në historinë biblike. Ndoshta prova më e madhe që Jezusi ka ekzistuar është fakti që vërtet mijëra të krishterë në shekullin e parë m.K., duke përfshirë të dymbëdhjetë apostujt, ishin të gatshëm të jepnin jetën e tyre si martirë për Jezu Krishtin. Njerëzit do të vdisnin për atë që ata besojnë se është e vërtetë, por asnjë nuk do të vdiste për çfarë ata e dinë se është një gënjeshtër.

English



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip

A ka ekzistuar vërtet Jezusi? A ka dëshmi historike për Jezu Krishtin?
© Copyright Got Questions Ministries