Çfarë na mëson Bibla në lidhje me Trinitetin?




Pyetje: Çfarë na mëson Bibla në lidhje me Trinitetin?

Përgjigje:
Gjëja më e vështirë në lidhje me konceptin e Krishterë të Trinitetit është se nuk ekziston një mënyrë e saktë për ta shpjeguar atë. Është e pamudur për një qenie njerëzore ta kuptojë plotësisht konceptin e Trinitetit e aq më shumë ta shpjegojë atë. Perëndia është pafundësisht më i madh se ne, prandaj nuk duhet të pretendojmë se mund ta kuptojnë Atë plotësisht. Bibla na mëson se Ati është Zot, Jezusi është Zot dhe Fryma e Shenjtë është Zot. Bibla gjithashtu na mëson se ka vetëm një Zot. Edhe pse mund të kuptojmë disa fakte rreth marrëdhënies së personave të Trinitetit me njëri-tjetrin, përsëri, është e pakapshme për mendjen njerëzore.

Ndërkohë që jeni duke studiuar këtë temë, duhet ta dini se fjala “Trinitet” nuk përdoret në Bibël. Është një term që përdoret për të përshkruar Zotin triun. Janë tre persona bashkëekzistues dhe të bashkëpërjetshëm që përbëjnë Perëndinë. Kjo NUK nënkupton se janë 3 Zotër. Trinitet do të thotë: 1 Zot i përbërë nga 3 persona. Nuk ka asgjë të keqe të përdorësh termin “Trinitet” edhe pse fjala nuk gjendet në Bibël. Është më e thjeshtë të thuash termin “Trinitet” se sa të thuash “3 persona bashkëekzistues dhe të bashkëpërjetshëm që përbëjnë 1 Perëndi”. Nëse kjo është problem për ju, merrni në konsideratë këtë gjë: as fjala “gjysh” nuk përdoret në Bibël. Abrahami ishtë gjyshi i Jakobit. Kështu pra, mos u kapni pas termit “Trinitet” në vetëvete. Fakti më i rëndësishëm është se koncepti i PËRFAQËSUAR nga fjala “Trinitet” ekziston në Shkrime. Pas kësaj hyrjeje, vargjet e mëposhtme nga Bibla janë në lidhje me Trinitetin.

1) Zoti është një: Ligji i Përtërirë 6:4; 1 Korintasve 8:4; Galatasve 3:20; 1 Timoteut 2:5.

2) Triniteti përbëhet nga tre Persona: Zanafilla 1:1; 1:26; 3:22; 11:7; Isaia 6:8; 48:16; 61:1; Mateu 3:16:17; Mateu 28:19; 2 Kosintasve 13:14. Në lidhje me pasazhet nga Testamenti i Vjetër, një njohuri e përgjithshme e gjuhes Hebraike do të ishte një ndihmë më shumë. Tek Zanafilla 1:1, është përdorur emri në shumës “Elohim”. Tek Zanafilla 1:26; 3:22; 11:7 dhe Isaia 6:8, është përdorur përemri shumës “ne”. NUK KA dyshim që “Elohim” dhe “ne” i referohen më shumë se dy personave. Në Anglisht ka vetëm dy forma: njëjësi dhe shumësi. Në Hebraisht ka tre forma: njëjësi, dyjësi dhe shumësi. Dyjësi i referohet VETËM objekteve që janë çift si: sytë, duart, dhe veshët. Fjala “Elohim” dhe përemri “ne” janë forma të shumësit, që do të thotë më shumë se dy – ndoshta i referohet tre ose më shumë personave (Ati, Biri, Fryma e Shenjtë).

Tek Isaia 48:16 dhe 61:1, Biri është duke iu referuar Atit dhe Frymës së Shenjtë. Krahasoni Isaia 61:1 me Luka 4:14-19 për të parë se është Biri Ai që është duke folur. Mateu 3:16-17 flet rreth pagëzimit të Jezusit. Duke ju referuar këtij pasazhi shohim se është Zoti Frymë e Shenjtë Ai që zbret mbi Zotin Bir, ndërkohë që Zoti At është duke shpallur kënaqësinë e Tij në lidhje me Birin. Mateu 28:19 dhe 2 Korintasve 13:14 janë shembuj të 3 personave të Trinitetit.

3) Personat e Trinitetit janë të dallueshëm nga njëri-tjetri në disa pasazhe: Në Testamentin e Vjetër, ekzistojnë dy emra “Zot” dhe “Perëndi” (Zanafilla 19:24; Hosea 1:4). “Zoti” ka një “Bir” (Psalmet 2:7, 12; Fjalët e Urta 30:2-4). Fryma është e dallueshme nga “Zoti” (Numrat 27:18) dhe nga “Perëndia” (Psalmet 51:10-12). Zoti Bir dallohet nga Zoti At (Psalmet 45:6-7; Hebrenjve 1:8-9). Në Testamentin e Ri, Gjoni 14:16-17, Jezusi është duke i kërkuar Atit që të dërgojë një Ndihmës, Frymën e Shenjtë. Kjo do të thotë se Jezusi nuk e konsideronte veten për të qenë Ati ose Fryma e Shenjtë. Duke marrë parasysh edhe rastet e tjera në Ungjill, kur Jezusi është duke folur me Atin, a po fliste Ai me Veten? Jo. Ai fliste me një person tjetër të Trinitetit – me Atin.

4) Secili nga personat e Trinitetit është Perëndi: Ati është Perëndi: Gjoni 6:27; Romakëve 1:7; 1 Pjetrit 1:2. Biri është Perëndi: Gjoni 1:1; 14; Romakëve 9:5; Kolosianëve 2:9; Hebrenjve 1:8; 1 Gjonit 5:20. Fryma e Shenjtë është Perëndi: Veprat 5:3-4; 1 Korintasve 3:16 (Ai që banon brenda besimtarëve është Fryma e Shenjtë – Romakëve 8:9; Gjoni 14:16-17; Veprat 2:1-4).

5) Varësia brenda Trinitetit: Shkrimi tregon se Fryma e Shenjtë është në varësi të Atit dhe të Birit dhe Biri është në varësi të Atit. Kjo është një marrëdhënie e brendshme që nuk mohon hyjninë e ndonjërit prej personave të Trinitetit. Kjo është thjesht një çështje që ka të bëjë me Perënidnë e pafund, të cilën mendja jonë e kufizuar nuk mund ta kuptojë. Në lidhje me Birin lexo: Luka 22:42; Gjoni 5:36; Gjoni 20:21; 1 Gjonit 4:14. Në lidhje me Frymën e Shenjtë lexo: Gjoni 14:16; 14:26; 15:26; 16:7 dhe në veçanti Gjoni 16:13-14.

6) Detyra e secilit prej personave të Trinitetit: Ati është burimi kryesor ose shkaktari i: 1) universit (1 Korintasve 8:6; Zbulesa 4:11); 2) marrëdhënies hyjnore (Zbulesa 1:1); 3) shpëtimit (Gjoni 3:16-17); dhe 4) veprave te Jezusit në tokë (Gjoni 5:17; 14:10). Ati është iniciatori i të gjitha këtyre gjërave.

Biri është agjenti nëpërmjet të cilit Ati kryen veprat e mëposhtme: 1) krijimin dhe mbajtjen e universit (1 Korintasve 8:6; Gjoni 1:3; Kolosianëve 1:16-17); 2) zbulesën hyjnore (Gjoni 1:1; Mateu 11:27; Gjoni 16:12-15; Zbulesa 1:1); dhe 3) shpëtimin (2 Korintasve 5:19; Mateu 1:21; Gjoni 4:42). Ati i bën të gjitha këto gjëra nëpërmjet Birit, i cili luan rolin e agjentit të Tij

Fryma e Shenjtë është mjeti me anë të të cilit Ati kryen veprat e mëposhtme: 1) krijimin dhe mbajtjen e universit (Zanafilla 1:2; Jobi 26:13; Psalmet 104:30); 2) zbulesën hyjnore (Gjoni 16:12-15; Efesianëve 3:5; 2 Pjetrit 1:21); 3) shpëtimin (Gjoni 3:6; Titit 3:5; 1 Pjetrit 1:2); dhe 4) veprat e Jezusit (Isaia 61:1; Veprat 10:38). Pra, Ati i bën këto gjëra nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Asnjë nga ilustrimet e njohura nuk arrin ta përshkruajë në mënyrë të saktë dhe të plotë Trinitetin. Ilustrimi i vezës (ose mollës) bie poshtë sepse guacka, e bardha dhe e verdha e vezës nuk janë vezë në vetëvete. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë nuk janë pjesë të Zotit, secili prej tyre është Perëndi. Ilustrimi i ujit është pak sa më i mirë, por përsëri nuk arrin ta përshkruajë në mënyrë të saktë Trinitetin. Lëngu, avulli dhe akulli janë gjendje të ujit. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë nuk janë gjendje të Perënidsë, secili prej tyre është Perëndi. E ndërsa këto ilustrime na japin një pamje të Trinitetit, pamja nuk është plotësisht e saktë. Një Perëndi i pafund nuk mund të përshkruhet me anë të një ilustrimi të kufizuar. Në vend që të përqëndrohemi tek Triniteti, le të përqëndrohemi më tepër në madhështinë e Perënidsë dhe natyrën e Tij të pafund dhe më të lartë se ajo e jona. “O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij! Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?”(Romakëve 11:33-34)



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip



Çfarë na mëson Bibla në lidhje me Trinitetin?