Cila është Rruga e shpëtimit sipas Romakëve?




Pyetje: Cila është Rruga e shpëtimit sipas Romakëve?

Përgjigje:
Rruga e shpëtimit sipas Romakëve është një mënyrë për të ndarë Ungjillin e shpëtimit duke përdorur vargje nga libri i Romakëve në Bibël. Është një metodë sa e thjeshtë aq edhe e fuqishme për të shpjeguar nevojën e shpëtimit, si Zoti siguroi shpëtimin, si mund ta marrim shpëtimin dhe cilat janë rezulatatet e shpëtimit.

Vargu i parë mbi Rrugën e shpëtimit sipas Romakëve, është Romakëve 3:23, “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”. Ne të gjithë kemi mëkatuar. Ne të gjithë kemi bërë gjëra të papëlqyeshme për Perëndinë. Nuk ka asnjë të pafajshëm. Romakëve 3:10-18 na jep një pamje të detajuar se si mëkati duket në jetën tonë. Shkrimi i dytë, mbi Rrugën e shpëtimit sipas Romakëve -Romakëve 6:23, na mëson rreth pasojave të mëkatit. “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Dënimi që kemi marrë si pasojë e mëkateve tona është vdekja. Jo vetëm vdekje fizike, por vdekje e përjetshme!

Vargu i tretë mbi Rrugën e shpëtimit sipas Romakëve është vazhdimi i Romakëve 6:23 “...por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Tek Romakëve 5:8 shkruhet: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”. Jezus Krishti vdiq për ne. Vdekja e Jezusit ishte pagesa për mëkatet tona. Ringjallja e Jezusit tregon se Zoti e pranoi vdekjen e Jezusit si pagese për mëkatet tona.

Ndalesa e katërt mbi Rrugën e shpëtimit sipas Romakëve është Romakëve 10:9 “sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh”. Për shkak se Jezusi vdiq në vendin tonë, gjithçka që duhet të bëjmë është të besojmë tek Ai, tek vdekja e Tij si pagesa për mëkatet tona – kështu do të shpëtohemi! Tek Romakëve 10:13 thuhet përsëri: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet''. Jezusi vdiq për të paguar për mëkatet tona dhe për të na shpëtuar nga vdekja e përjetshme. Shpëtimi, falja e mëkateve, është për këdo që i beson Jezus Krishtit si Zoti dhe Shpëtimtari i tyre.

Aspekti përfundimtar i rrugës së shpëtimit sipas Romakëve është rezultati i shpëtimit. Tek Romakëve 5:1 gjejmë këtë mesazh të mrekullueshëm:“Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë”. Nëpërmjet Jezus Krishtit ne mund të kemi një marrëdhënie paqeje me Perëndinë. Romakëve 8:1 na mëson: “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës”. Për shkak se Jezusi vdiq në vendin tonë, ne nuk do të dënohemi kurrë për mëkatet tona. Përfundimisht ne kemi një premtim paraprak nga Perëndia tek Romakëve 8:38-39, “Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë”.

A dëshironi të ndiqni rrugën e shpëtimit sipas Romakëve? Nëse po, atëhere kjo është një lutje e thjeshtë që mund t’i drejtoni Zotit. Kjo lutje është një mënyrë për të deklaruar se ju mështeteni tek Jezus Krishti për shpëtimin tuaj. Fjalet në vetvete nuk ju shpëtojnë. Vetëm besimi në Jezus Krishtin mund t’ju shpëtojë! “Zot, e di që kam mëkatuar kundër teje dhe e meritoj ndëshkimin. Por Jezus Krishti mori dënimin që unë meritoja që nëpërmjet besimit tek Ai unë të isha i/e falur. Me ndihmën tënde, unë largohem nga mëkati dhe vendos besimin tim në shpëtimin tënd. Faleminderit për hirin tënd të mrekullueshën dhe për faljen – dhuratën e jetës së përjetshme! Amen!”

A keni marrë një vendim në lidhje me Krishtin prej asaj që lexuat këtu? Nëse po, ju lutem klikoni poshtë tek butoni “Kam pranuar Krishtin sot.”



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip



Cila është Rruga e shpëtimit sipas Romakëve?